Për Ne | Template Website

Për Këshillin

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (Këshilli) është i  prezantuar në aktin më të lartë Juridik të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 101.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton: "Një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil, siguron respektimin e rregullave dhe parimeve, që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës."

Historiku dhe mandati ligjor

Rregullorja e UNMIK-ut, Nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës, ishte akti i parë ligjor mbi bazën e të cilit, në kapitullin III, është themeluar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës si Njësi e pavarur brenda Ministrisë së Shërbimeve Publike, e me raportim të drejtpërdrejtë te Ministri i Shërbimeve Publike. Sipas kësaj Rregulloreje, anëtarët e Këshillit emëroheshin nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në konsultim me Kryeministrin e Kosovës.

Me Rregulloren e UNMIK-ut Nr.2008/12, për ndryshimin e Rregullores Nr.2001/36, Këshilli përcaktohej si Njësi e mëvetësishme që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë Kuvendit të Kosovës dhe anëtaret e tij emëroheshin nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, më datë 15 korrik 2010, e miratoi Ligjin Nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i shpallur në Gazetën Zyrtare me Nr. 77/2010 datë 16 gusht 2010, ku në nenin 3 KPMSHCK-ja përcaktohet si organ i pavarur që i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i cili i zgjidh ankesat e nëpunësve si dhe siguron respektimin e të gjitha rregullave dhe parimeve që e rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.

Me tej, me Ligjin e zbatueshëm Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Këshilli është institucion i pavarur që e siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës janë përcaktuar funksionet, kompetencat, organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Baza ligjore për funksionimin e Këshillit është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtar Publik, Ligji Nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve të Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, Ligji Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si dhe aktet nënligjore që i implementojnë këto ligje.

Këshilli për punën e tij i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës, së paku njëherë në vit, dhe sa herë që i kërkohet nga Kuvendi.

Këshilli financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Këshilli ka vijën e vetë buxhetore, e cila i garanton pavarësinë e tij.

Funksionet e Këshillit

Për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil, Këshilli i ka këto funksione themelore:

  • Shqyrton dhe merr vendime për ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil si dhe,
  • Monitoron institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civilë, lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil.

Organizimi i Brendshëm i Këshillit

Këshilli përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë. Anëtarët e Këshillit zgjidhen përmes konkursit të hapur dhe transparent dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Mandati i të gjithë anëtarëve të Këshillit është 7 (shtatë) vjeçar.

Kryetari i Këshillit udhëheq, përfaqëson, dhe përgjigjet për veprimtarinë e Këshillit, zgjidhet me shumicë të votave nga radhët e anëtarëve të Këshillit, me mandat 2 (dy) vjeçar, dhe me mundësi rizgjedhjeje.

Kryetari dhe anëtarët e Këshillit lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi.

Sekretaria e Këshillit - Në kuadër të Këshillit funksionon Sekretaria, e cila ndihmon Këshillin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të Këshillit. Sekretaria udhëhiqet nga Sekretari i Përgjithshëm, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt Kryetarit të Këshillit.

Sekretari i përgjithshëm dhe të gjithë nëpunësit e sekretarisë e kanë statusin e nëpunësit civil, dhe trajtohen sipas ligjit për shërbimin civil. Në kuadër të Sekretarisë funksionon njësia për mbështetje profesionale, e cila përbëhet nga stafi profesional, të cilët mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë punën profesionale të anëtarëve të Këshillit.

Kush mund të ankohet në KPMSHCK?

Në Këshill mund të ankohen :

  • Nëpunësit Civilë të Kosovës dhe
  • Kandidatët për punësim në Shërbimin Civil të Kosovës.

Si mund të ankoheni në KPMSHCK?

Nëpunësi civil, apo kandidati për pranim në shërbimin civil, i cili është i pakënaqur me vendimin e organit të punësimit, ka të drejtë të parashtrojë ankesë në Këshill për pretendimin e shkeljes së rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës.

Ankesa mund të parashtrohet në këto mënyra:

Ankesa parashtrohet nga vetë ankuesi, përfaqësuesi me autorizim apo përfaqësuesi i përbashkët (në rastet e ankuesve në grup).

Kontakti

Adresa:

Ndërtesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kati III, sheshi “ Nënë Tereza”, pn. Prishtinë.

Zyrtari për Mbrojtjen e të Dhënave Personale: Flakron Gashi, E-maili:flakron.gashi@rks-gov.net, tel.10.959

Zyrtari për trajtimin e rasteve të sinjalizimit: Arbër Haliti, E-maili:arber.haliti@rks-gov.net

Arbër Haliti  Tel:  038 200 10957,    ext:10 957


      


 

Na kontaktoni

  Facebook