Prishtinë, 20 prill 2026 – Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Komisionit Enver Haliti, në mbledhjen e radhës ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK) për vitin 2025.
Gjatë prezantimit, kryesuesi i KPMSHCK-së, Arben Mehmeti, bëri të ditur se buxheti i ndarë për këtë institucion gjatë vitit 2025 ka qenë 612 mijë euro, prej të cilave janë shpenzuar 429 mijë euro.
Ai nënvizoi se institucioni është përballur me një sërë sfidash, përfshirë mungesën e buxhetit të mjaftueshëm për institucion, mungesën e anëtarëve të Këshillit , mungesën e zyrtarëve profesional, ngarkesën e madhe me lëndë në shqyrtim, si dhe mungesën e hapësirave të mjaftueshme dhe të përshtatshme për punë.
Pas prezantimit, anëtarët e komisionit zhvilluan diskutime dhe parashtruan pyetje, ndërsa përfaqësuesit e Këshillit ofruan përgjigjet dhe sqarimet përkatëse.
Në përmbyllje, Komisioni aprovoi me shumicë votash raportin vjetor financiar të KPMSHCK-së për vitin 2025.