Komentet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në lidhje me kërkesën KO171/18 të parashtruar me datën 2 nëntor 2018 në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga Avokati i Popullit
Historiku i Këshillit
Këshilli, fillimisht është themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut, nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës dhe ka filluar të funksionojë në vitin 2004 në kuadër të Ministrisë së Shërbimeve Publike.
Me Rregulloren e UNMIK-ut, nr. 2008/12 për ndryshimin e Rregullores Nr. 2001/36 të datës 27 shkurt 2008, Këshilli është njësi e mëvetësishme, që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendi të gjitha raportet e Këshillit ia përcjell Kryeministrit.
Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Këshilli) është i paraparë në aktin më të lartë Juridik të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 101 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Ligjin nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me 30 gusht 2010. Gjithashtu edhe sipas këtij Ligji Këshilli është organ i pavarur i cili për punën e vet i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Ligjin nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me 25 gusht 2018
Në ndërlidhje me këtë, funksionet dhe kompetencat e Këshillit që nga themelimi me Rregulloren e UNMIK-ut e deri tani nuk kanë ndryshuar dhe ato janë të përqendruar në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civil dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil të Kosovës, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civil te nivelit drejtues në institucionet e administrates publike të nivelit qendror dhe lokal.
Me Ligjin e ri të Këshillit, tanimë është shtuar edhe mbikëqyrja e përzgjedhjes se nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues.
Komentet lidhur me kërkesën :
1. Sipas kërkesës, Avokati i Popullit ka kontestuar Ligjin nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e neneve 2, 3 (pargrafi 1, nënparagrafët 2,3 dhe 4), 4 (paragrafi 1), 6, 7 (paragrafi 1, nënparagrafët 2,3 dhe 4), 11 (paragrafi 3), 18, 19 (nënpargrafët 5,6,7 dhe 8), 20 (pargrafi 5), 21, 22, 23, 24, dhe 25 (paragrafët 2 dhe 3) të këtij ligji, duke i parashtruar Gjykatës Kushtetuese 2 pyetje dhe 2 nënpyetje.
Këshilli konstaton se Avokati i Popullit ka kërkuar shfuqizimin e neneve, duke dalur jashtë pyetjeve që i ia ka parashtruar Gjykatës dhe nuk ka dhënë argumentim për secilin nen dhe paragraf, për të cilët ka kërkuar që të shfuqizohen, se cilat dispozita kushtetuese janë cenuar nga këto dispozita ligjore.
Këshilli konstaton se shumica dërmuese e dispozitave ligjore të kontestuara nga Avokati i Popullit, janë dispozita të njëjta që kanë qenë në fuqi sipas Rregullores së UNMIK-ut, nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës, pastaj Ligjit nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me 30 gusht 2010, që argumenton faktin se me dispozitat e kontestuara nuk kemi ndryshim të funksioneve dhe kompetencave të Këshillit, të cilat konsiderohen ndërhyrje në institucionet tjera, duke përfshirë Avokatin e Popullit si institucion i pavarur kushtetues.
Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që gjatë trajtimit të kësaj çështje të ngritur nga Avokati i Popullit, të analizoj bazën ligjore të Këshillit që nga themelimi e deri me tani, për të vërtetuar konstatimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe për t’u garantuar se asnjë dispozitë e përcaktuar me Ligjin e kontestuar nuk cenon asnjë dispozitë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
2.Këshilli vlerëson se Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 113 paragrafi 2 nënparagrafi 1 është palë e autorizuar, rrjedhimisht është i autorizuar që të ngrenë raste lidhur me “çështjen e përputhshmërisë së ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë, me Kushtetutën”, por ne jemi të mendimit që Avokati i Popullit në pajtim me rolin dhe kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, duhet të jetë i fokusuar, që çështjet që i ngritë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese duhet të jenë në kuadër të fushëveprimit të Tij “të mbikëqyrë dhe mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike”.
3.Në rastin konkret, Avokati i Popullit me kërkesën e Tij për shfuqizimin e pjesës dërmuese të Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke u fokusuar vetëm në raport me institucionin që e drejton, ka dalur jashtë mandatit të tij që të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore nga veprimet dhe mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike sepse tendenca e tij për minimizimin e rolit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si institucion i pavarur i përcaktuar me Kushtetutë ( shih: nenin 101.2 të Kushtetutës) si dhe kërkesa e Tij për heqjën e funksioneve të Këshillit të përcaktuar me ligj, do të ndikonin drejtpërdrejtë që autoritetet publike t’ju krijohet hapësirë që të abuzojnë dhe shkelin të drejtat nga marrëdhenia e punës së nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil. Këshilli me vendimarrjen e tij, duke ushtruar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, mbetet institucion kredibil i cili si autoritet përfundimtar në procedurë administrative, nxjerr vendime të karakterit obligues lidhur me marrëdheniën e punës së nëpunësve civilë dhe kanididatëve për pranim në shërbimin civilë. Rrjedhimisht, është dëshmuar që në rastet kur janë shkelur të drejtat nga marrëdhenia e punës së nëpunësve civilë, Këshilli i ka mbrojtur ato, pavarësisht cili ka qenë autoriteti publik që i ka shkelur këto të drejta sepse ne konsiderojmë që asnjë autoritet publik, duke përfshirë institucionet e pavarura kushtetuese, nuk mund të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
4. Këshilli vlerëson se shërbimi civil i Kosovës është kategori kushtetuese sepse është përcaktuar me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
5. Në nenin 101 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është përcaktuar se “Një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës”. Në ndërlidhje me këtë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyres për Shërbimin Civil të Kosovës, ka autoritet që t’i ushtroj funksionet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligjin e Këshillit në mbikëqyrje të zbatimit të legjislacionit të shërbimit civilë të përcaktuar me Ligjin për Shërbimin Civil dhe aktet tjera që rregullojnë shërbimin civilë të Kosovës.
6. Në kërkesën e Tij, Avokati i Popullit ka theksuar se: ”Mënyra se si Ligji për Këshillin e përcakton fushëveprimin e vet, e bën të qartë se Institucioni i Avokatit të Popullit përfshihet në këtë fushëveprim. Sipas nenit 2 të Ligjit: “ Fushëveprimi i këtij ligji përfshinë Këshillin dhe të gjitha institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civilë. Termi “nëpunës civilë”, ashtu siç përdoret në këtë ligj, “nënkupton nëpunësin civil sipas përkufizimit në Ligjin për Shërbimin Civil” (po aty, neni 3, paragrafi, 1 nënpar.2”.
Po ashtu, Avokati i Popullit në kërkesën e tij ka theksuar “Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e vesh Këshillin me kompetencën për të mbikëqyrur jo vetëm institucionet e Qeverisë por edhe institucionet tjera, duke e tejkaluar fushëveprimin e ngushtë të Këshillit të përcaktuar ne Kapitullin VI (“Qeveria e Republikës ë Kosovës”) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Këshilli vlerëson se Avokati i Popullit nuk e ka të qartë adresën sa i përketë fushëveprimit të shërbimit civil të Republikës të Kosovës sepse ky fushëveprim nuk përcaktohet me Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës por me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës, prandaj Këshilli sipas nenit 101.2 të Kushtetutës i ushtron kompetencat në shërbimin civilë, rrjedhimisht në kuadër të fushëveprimit që i ka dhënë shërbimit civil, Ligji përkatës për Shërbimin Civil.
Prandaj, fushëveprimi i Ligjit për Këshillin varet drejtpërsëdrejti prej përkufizimit të termit “nëpunës civil” në Ligjin Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili përcakton se: “Ky ligj rregullon statusin e nëpunësve civilë, si dhe marrëdhënien e tyre të punës në institucionet e administrates qendrore dhe komunale dhe se “ për qëllim të këtij ligji, institucionet e administrates qendrore dhe komunale që hynë në fushëveprimin e këtij ligji përfshijnë: administratën e Kuvendit, administratën e Presidencës, Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura dhe ato rregullatore dhe administartën komunale”.
7. Për me tepër, në nenin 3 paragrafi 7 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës është përcaktuar se : “Gjatë zbatimit të këtij ligji, respektohet pavarësia kushtetuese e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi”, duke njohur kështu fushëveprimin e Ligjit për Shërbimin Civilë në këto institucione, nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar ndryshe.
8. Këshilli vlerëson se edhe me dispozitat e nenit 32 paragrafit 1 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, është përcaktuar që: ,,Ndaj të punësuarve tjerë të Institucionit të Avokatit të Popullit zbatohen dispozitat ligjore në fuqi për nëpunësit civilë’’. Po ashtu, me dispozitat e nenit 32 paragrafit 2 të Ligjit Nr. 05/L -019 për Avokatin e Popullit, është përcaktuar që: “Personeli i Institucionit të Avokatit të Popullit zgjidhet në mesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në një proces të hapur dhe transparent, bazuar në kriteret profesionale. Ndaj të punësuarve në IAP, zbatohen dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil, për aq sa nuk cenohet pavarësia kushtetuese e Institucionit”.
Prandaj, duke marr parasysh edhe dispozitat e Ligjit për Avokatin e Popullit, konstatohet se Këshilli ka mandat të plotë që t’i ushtroj funksionet kushtetuese dhe ligjore, ndaj nëpunësve civilë të punësuar në Institcionin e Avokatit të Popullit, duke respektuar pavarësinë kushteteuse në pajtim me nenin 3 paragrafi 7 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili përcakton se : “Gjatë zbatimit të këtij ligji, respektohet pavarësia kushtetuese e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi”.
9. Këshilli vlerëson se këtë situatë të pozicionit dhe juridiksionit të KPMSHCK-së e ka qartësuar Gjykata Kushtetuese në pikën 42 të Aktgjykimit në rastin Nr. KI.129/11 të parashtruar nga Viktor Marku e cila ka theksuar se: “Gjykata Kushtetuese, sa i përket qartësimit të pozicionit dhe juridiksionit të KPMSHCK, konsideron që, KPMSHCK është institucion i pavarur i konstituuar me ligj, në pajtim me Kushtetutën ( shih, nenin 101.2 të Kushtetutës). Prandaj, të gjitha obligimet që dalin nga ky institucion lidhur me çështjet që janë nën jurdiksionin e këtij institucioni prodhojnë efekte juridike për instituciomet e tjera përkatëse, ku statusi i të punësuarve është i rregulluar me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Vendimi i këtij institucioni paraqet vendim administartiv të formës së prerë dhe si i tillë duhet të përmbarohet nga gjykata kompetente sipas propozimit për përmbarim nga kreditori në kuptim të reailizimit të së drejtës së fituar në procedure administrative”.
Si përfundim, edhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese është konfirmuar që shërbimi civil nuk përfshinë vetëm degën e ekzekutivit dhe juridiksioni i Këshillit nuk kufizohet vetëm në kuadër të ekzekutivit, por çshtjet që trajtohen në jurdiksionin e këtij institucioni prodhojnë efekte juridike për institucionet e tjera përkatëse, ku statusi i të punësuarve është i rregulluar me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Prandaj, Këshilli vlerëson se nuk qëndron pretendimi i Avokatit të Popullit që “Kushtetuta ia jep Këshillit kompetencën për të mbikëqyrur “shërbimin civil’, ky i fundit duhet kuptuar si pjesë vetëm e Qeverisë”. Nëse do të ishte kështu siç ka pretenduar Avokati i Popullit se “shërbimi civil duhet kuptuar vetëm si pjesë e Qeverisë”, atëherë, Avokati i Popullit si parashtrues i kësaj kërkese, është dashur që të ngrit çështjen e përputhshmerisë së Ligjit për Shërbimin Civil me Kushtetutën sepse me këtë ligj përcaktohet fushëveprimi i shërbimit civil, i cili ka përcaktuar fushëveprimin e shërbimit civil edhe jashtë degës së ekzekutivit, respektivisht: “administratën e Kuvendit, administratën e Presidencës, Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura dhe ato rregullatore dhe administartën komunale”.
Po ashtu, edhe vet Ligji Nr. 05/L -019 për Avokatin e Popullit do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, nëse do të ishte kështu siç ka pretenduar Avokati i Popullit se “shërbimi civil duhet kuptuar vetëm si pjesë e Qeverisë” sepse ky ligj ka përcaktuar se ,,Ndaj të punësuarve tjerë të Institucionit të Avokatit të Popullit zbatohen dispozitat ligjore në fuqi për nëpunësit civilë”.
10. Këshilli vlerëson se në asnjë rast nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhynë në pavarësinë institucionale të institucioneve të pavarura kushtetuese, me theks të veçantë tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe institucioneve tjera të pavarura, për aq sa e kanë të ruajtur pavarësinë e tyre me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë. Po ashtu, ne marrim parasysh, se të gjitha çështjet nga marrëdhenia e punës se nëpunësve civilë që janë të rregulluara me ligj dhe akte tjera përkatëse të veçanta, kanë përparësi para Ligjit dhe akteve tjera përkatëse të përgjithshme, si dhe njohim dhe repsektojmë në plotni pavarësinë institucionale, organizative dhe buxhetore të institucioneve të pavarura kushtetuese.
11. Këshilli vlerëson se çështja e pavarësisë institucionale ndërlidhet me funksionet kushtetuese dhe ligjore të Avokatit të Popullit dhe të fushëveprimit përkatës të institucioneve të pavarura kushtetuese, por nuk ndërlidhen me të drejtën kushtetuese dhe ligjore te Këshillit që të mbikëqyrë respektimin e legjislacionit të shërbimit civilë lidhur me marrëdhënien e punës së nëpunësve civilë të këtyre institucioneve. Siç jeni në dijeni, institucionet e pavarura kushtetuese kanë edhe pavarësi të plotë buxhetore, por kjo nuk nënkupton që Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka të drejtë që të mbikëqyrë se a janë shpenzuar mjetet buxhetore të këtyre institucioneve në pajtim me legjislacionin në fuqi. Kjo çështje, asnjëherë nuk është ngritur nga Avokati i Popullit dhe nga asnjë institucion tjetër i pavarur kushtetues.
12. Përkundrazi, Këshilli gjatë gjithë kësaj kohe, në kuadër të mandatit të vet, është angazhuar që të mbrojë institucionet e pavarura kushtetuese nga ndërhyrjet e ekzekutivit, si në vijim:
• Këshilli, në Raportin vjetor të vitit 2016 të cilin e ka dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e ka trajtuar çështjen e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese ( shih: Raportin, faqe 69,70), ku në mes tjerash ka konstatuar se:
“Këshilli konstaton se çështja e ngritur, e trajtuar dhe vendosur pastaj nga Gjykata Kushtetuese e prekë pjesërisht vetëm një segment të cështjes lidhur me pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe se para se gjithash, kjo çështje nuk është vetëm e një akti administrativ, por është çështje ligjore e cila duhet të zbatohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Këshilli konstaton se me Ligjin për Shërbimin Civil është përcaktuar se duhet të respektohet pavarësia kushtetuese gjatë zbatimit të tij, respektivisht kjo është përcaktuar me nenin 3 paragrafi 7 të Ligjit për Shërbimin Civil: “Gjatë zbatimit të këtij ligji, respektohet pavarësia kushtetuese e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi”. Këshilli konstaton se deri në plotësim të Ligjit për Shërbimin Civil, Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Financave duhet të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e pavarura kushtetuese për të përcaktuar dhe definuar çështjet me të cilat konsiderohet se janë ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve të pavarura, duke përgatitur dhe nxjerr një akt nënligjor i cili i definon këto çështje, me qëllim që gjatë zbatimit të legjislacionit të mos krijohen dilema të cilat do të demtonin proceset dhe do të ndikonin në funksionimin e institucioneve të pavarura”.
• Këshilli në vendimin nr. 144/2017 të dates 05.09.2017 ka konstatuar se kërkesa për marrjen e autorizimit të shpalljes së konkurseve për nëpunësit civilë të institucioneve të pavarura kushtetuese nga Ministria e Administratës Publike si dhe marrja e konfirmimit buxhetor nga Ministria e Financave, përbënë ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, prandaj këto institucione sipas vendimit të Këshillit nuk janë të obliguara që të marrin këto konfirmime , duke konstatuar se:
“Përkundër, faktit që me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr.ref: AGJ105/16 si dhe me opinionin e MAP të datës 02.08.2017, nuk është trajtuar dhe nuk është sqaruar çështja nëse marrja e autorizimit për fillimin e procedurës së rekrutimit nga MAP/DASHC, dhe konfirmimit buxhetor nga Ministria e Financave, cenon pavarësinë kushtetuese të institucionit, Kryesuesit e kolegjeve për vëzhgim, duke marr parasysh dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit si dhe konstatimet e Gjykatës Kushtetuese në Aktgjykimin me numër ref: AGJ105/16, konstatojnë që institucionet e pavarura kushtetuese nuk janë të obliguara që të kërkojnë autorizimin për shpalljen e konkursit nga Ministria e Administratës Publike dhe marrjen e konfirmimit buxhetor nga Ministria e Financave, pasiqë është konsideruar nga ana tyre se kjo cenon pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese në raport me ekzekutivin. Kryesuesit e kolegjeve për vëzhgim konstatojnë se përgjegjësia e mbulesës buxhtore për pozitën e shpallur si dhe për kriteret e përcaktuara të konkursit në pajtim me kushtet dhe përgjegjësit e pozitës, bien mbi institucionin i cili ka shpallur konkursin”.
• Po ashtu, në këtë vendim Këshilli ka konstatuar se kriterete konkursit i cakton vet institucioni i pavarur kushtuetues, sepse caktimi i kritereve të shkollimit dhe përvojes së punës për pozitat e nëpunësve civilë të institucioneve të pavarura ksuhtetetuese, përbën ndërhyrje në pavarësinë e tyre institucionale.
“Sa i përketë, të drejtës e përcaktimit të kritereve të konkursit lidhur me secilin nivel të nëpunësve civilë të Institucioni i Avokatit të Popullit, respektivisht të nivelit të shkollimit dhe kriterit të përvojës së punës, Kryesuesit e kolegjev për vëzhgim konstatojnë se Institucioni i Avokatit të Popullit si institucion i pavarur kushtetues, ka të drejtë që t’i përcaktoj vet këto kritere, por duhet të ruajtur minimumi i këtyre kritereve të përcaktuara me Rregulloren Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Kjo është edhe në frymën e parimit të profesionalizimit të shërbimit civil por edhe rolit, të kompetnecave dhe mandatit që ka Institucioni i Avokatit të Popullit”.
• Lidhur me pagat e nëpunësve civilë të institucioneve të pavarura kushtetuese, Këshilli në raportin vjetor të vitit 2016 ( shih: faqe 62, 63) e ka paralajmëruar, respektivisht i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që parimi pagë e njëjtë për punë të njejtë nuk duhet të vlejë edhe për institcuionet e pavarura.
“Këshilli, vlerëson punën e Ministrisë së Administrates Publike dhe të Qeverisë se Republikës se Kosovës, për miratimin e Ligjit për Pagat dhe dërgimin e tij në Kuvendin e Republikës se Kosovës. Këshilli konstaton se me ligjin e ri për pagat do të krijohet një rregull për të gjitha kategoritë e administrateës publike, duke përfshirë edhe nëpunësit civil, lidhur me sistemin e pagave sipas parimit pagë e njejtë për punë të njejtë. Këshilli vlerëson se miratimi sa më shpejtë i Ligjit të ri per Pagat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të ndikoj që të krijohet një sisitem i pagave i cili pasqyron saktë të gjitha kategoritë e administratës publike, duke pas parasysh se sistemi aktual i pagave është shumë i fragmentarizuar dhe rrjedhimisht i deformuar në institucionet e administartës publike.
Këshilli vlerëson se disa kategori të nëpunësve civilë, në institucionet e pavarura kushtetuese që ofrojnë shërbime profesionale për trupat e këtyre institucioneve, si Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, Komisioni i Pavarur per Media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civilë të Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Presidentit dhe eventualisht edhe ndonje institucion tjetër, duhet që përveç pagës bazë e cila duhet të jetë e njejtë si tek nëpunësit e intstictucioneve tjera, me ligjin e ri për pagat, duhet të përcaktohet një shtesë e përhershme në pagën e tyre për shkak të ndjeshmërisë, përgjegjësisë dhe vëllimit të punës”.
• Këshilli me datën 14.06.2018 i ka dërguar komentet Ministrisë së Administratës Publike lidhur me Projektligjin për Zyrtarët Publikë, në të cilin është përfshirë edhe shërbimi civil. Këto komente i janë dërguar edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim që gjatë shqyrtimit të këtij Projektligjit ti marrin parasysh çështjet e ngritura. Në komentin nr. 4 Këshilli ka theksuar se:
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka përcjellur me vëmendje çështjet e ngritura lidhur me nëpunësit civilë të institucioneve të pavarura kushtetuese, respektivisht ruajtjen e pavarësisë funksionale të institucioneve të pavarura, gjatë zbatimit të legjislacionit për shërbimin civilë.
Këshilli konstaton se sponsorizuesi i Projektligjit duhet të marr parasysh Aktgjykimin e datës 16 nentor 2016 të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO73/16 të parashtruar nga Avokati i Popullit, i cili ka konstatuar se Qarkorja Administrative nr. 01/2016 e nxjerrë më 21 janar 2016 nga Ministria e Administratës Publike të Republikës së Kosovës, në tërësi cenon pavarësinë e institucioneve te pavarura të parapara me Kushtetutë, dhe është jokushtetuese në raport me ato institucione të pavarura. Prandaj, në këtë Projekligj duhet të përcaktohen dispozitat që i japin pavarësi institucioneve të pavarura kushtetuese, para se gjithash Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit, por edhe institucioneve tjera kushtetuese, varësisht nga pavarësia e tyre institucionale e garantuar me Kushtetutë dhe ligj të veçantë”.