1354 - Lajm | Template Website

Lajme

REAGIM PUBLIKË

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (tutje Këshilli), po e ndjek me shqetësim qasjen e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Republikës së Kosovës (tutje Komisioni) ndaj Këshillit - si organ i pavarur i përcaktuar me nenin 101 të Kushtetutës se Republikës se Kosovës.

Kërkesa e Komisionit për qasje në dosjet e disa lëndëve, të cilat janë shqyrtuar nga ky institucion dhe janë në proces të shqyrtimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përben një precedent të rrezikshëm, i cili kështu edhe ia humb kuptimin këtij institucioni të pavarur (e tejet të rëndësishëm) edhe i jep kompetenca të paqena Komisionit. 

Inicimi i procedurës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pa u përmbushur asnjë kusht ligjor, i ngjan një gjyqi të njëanshëm me pasoja frikësimi, denigrimi publik e dekurajimi profesional për anëtaret e organeve të pavarura, gjyqtaret dhe prokuroret në Republikën e Kosovës. 

Me ketë rast, informojmë publikun e gjerë, mediat dhe faktorin ndërkombëtar, se anëtaret e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të zgjedhur në një proces të rregullt dhe transparent, të monitoruar nga Ambasada e Britanisë së Madhe, sipas nenit 11 paragrafi 3 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, gëzojnë imunitet funksional nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi lidhur me vendimmarrje gjatë ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe ligjore, dhe se ligjshmëria e vendimeve të Këshillit mund të vlerësohet vetëm në kuadër të hierarkisë gjyqësore në Republikën e Kosovës, dhe jo nga ndonjë organ tjetër, përfshirë edhe Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës. 

Etiketimi i anëtareve të Këshillit, për gjoja anshmëri në vendosje lidhur me rastin e N.K është edhe i pabazë edhe i papranueshëm, e as pretendimet e deklaruara nga disa anëtarë të këtij Komisioni nuk qëndrojnë. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendos vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave të dorëzuara nga palët dhe në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Si rrjedhojë siguron opinionin publik se edhe në rastin për të cilin aludohet, Këshilli ka vendosur mbi bazën e provave të dorëzuara nga palët në procedurë dhe në harmoni të plotë me legjislacionin e aplikueshëm. Lidhur me ketë rast, organi i punësimit e ka parashtruar kërkesën për masë të përkohshme, mirëpo Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, çka nënkupton se vendimi i Këshillit prima facie nuk është i paligjshëm, siç pretendohet nga Komisioni Parlamentar. 

Andaj, Këshilli ka bazë të mjaftueshme të konsiderojë se qasja e fundit e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës, është cenim dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si institucion i pavarur që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që e rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës. 

Ftojmë Kryesinë e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrë masa për ndaljen e etiketimeve të pabazuara ndaj anëtareve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe të ndërpres çdo iniciativë që shkon në dëm të mbrojtjes ligjore të të drejtave të nëpunësve civilë në Republikën e Kosovës. 

Siç e kemi deklaruar edhe në takimin e zhvilluar në Komision, jemi të hapur për të diskutuar dhe sqaruar çdo proces në Këshill, gjithnjë brenda kornizave ligjore, duke qenë të bindur se brenda këtyre tetë muajve, kur e kemi filluar mandatin, kemi bërë një punë që do të duhej çmuar dhe inkurajuar dhe jo e kundërta.

 

      Me respekt,

      Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

 

Kontakti

Adresa:

Ndërtesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kati III, sheshi “ Nënë Tereza”, pn. Prishtinë.

 

Zyrtari për trajtimin e rasteve të sinjalizimit: Arbër Haliti, E-maili:arber.haliti@rks-gov.net

Arbër Haliti  Tel:  038 200 10957,    ext:10 957


      


 

Na kontaktoni

  Facebook