Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së, për shkeljet dhe skandalet në shërbimin civil, kanë debatuar Shkëmb Manaj, kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Tefik Mahmuti, drejtor i Departamentit për Administrimin e Shërbimit Civil në Ministri të Administratës Publike. Manaj ka deklaruar se nga 125 avancime të nivelit drejtues që janë realizuar në vitin 2016 në administratë janë anuluar mbi 50% të tyre, sepse, siç ka thënë ato janë avancuar në kundërshtim më rregullat. “Nga 500 ankesa për vitin 2016 rreth 400 janë zgjidhur”, ka thënë ai.
Ankesat më të mëdha vijnë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Infrastrukturës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës.
Tutje Manaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar sa i përket procesit të klasifikimit dhe gradimit të vendeve të punës në shërbimin civil.
“Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat ka hyrë në fuqi në vitin 2010, e edhe pas 6 vitesh nuk është rregulluar kjo çështje”.
Kur ka folur për moszbatimin e vendimeve të KPMSHC, Manaj ka thënë se janë Komuna e Prishtinës me katër vendime, Administrata Tatimore e Kosovës me tri vendime, Agjencia Pyjore me dy vendime, Ministria e Arsimit me një vendim dhe Ministria e Tregtisë me një vendim të pazbatuar.
“Rreth 50 ankesa i kemi pasur nga personat që kanë pasur aktakuza dhe dënime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ju sigurojë se KPMSHC asnjë ankesë nuk e ka aprovuar për kthim në vendin e punës për persona që kanë të ngritura aktakuza”, ka thënë Manaj.
Sa i përket pozitave të niveleve të larta si ajo e Sekretarit të Përgjithshëm po mendohet të ndryshohet dhe në të ardhmen sekretari të emërohet nga ministri dhe të quhet Sekretar i shtetit.