Raporti vjetor i punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2016, aprovohet unanimisht nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës. Me datën 29.03.2017, kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyres për Shërbimin Civil të Kosovës, Shkëmb Manaj, se bashku me anëtarët e Këshillit, prezantuan në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, Raportin vjetor të punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vititn 2016.
Kryetari Manaj tha se raporti përmban të dhëna dhe informata të detajuara për të gjitha aktivitetet dhe punët e kryera nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ai tha se në raport përfshihen të dhëna për punët e kryera në kuadër të funksionit të zgjidhjes së ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, funksionit të vëzhgimit të procedurës së emërimit të nëpunësve civilë të nivelit drejtues dhe funksionit të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
"Këshilli, gjatë vitit 2016, ka arritur të shqyrtojë dhe vendos në mënyrë meritore për 571 ankesa të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, prej të cilave 514 ankesa të pranuara gjatë vitit 2016 dhe 57 ankesa të cilat janë bartur nga viti 2015 për vendosje në vitin 2016", theksoi Manaj. Ai shtoi po ashtu se gjatë vitit të kaluar, Këshilli ka vëzhguar 248 pozita të rekrutimit lidhur me procesin e emërimeve të nëpunësve civilë të nivelit drejtues, prej të cilave, sipas tij, Këshilli i ka aprovuar si të rregullta 104 pozita të rekrutimit, ndërsa për shkak të shkeljeve ligjore dhe procedurale, ka anuluar 144 pozita të tjera.
"Në kuadër të funksionit të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit në pajtim me Planin e Monitorimit, Këshilli ka realizuar 57 vizita monitoruese të mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil", theksoi kryetari, Shkëmb Manaj.
Pas diskutimeve, komisioni njëzëri përkrahu raportin, duke i rekomanduar seancës miratimin e tij.