Prishtinë, 15 qershor 2026 – Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sot u pensionua bashkëpunëtorja profesionale e Këshillit, Sabile Avdyli, duke përmbyllur kështu karrierën e saj në institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjatë gjithë viteve të angazhimit të saj, ajo u dallua për përkushtimin, profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë e lartë në punë, duke lënë gjurmë të çmuara në institucionin tonë. Me punën dhe kontributin e saj të palodhshëm, ajo fitoi respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e pensionimit të saj, kryesuesi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Arben Mehmeti, vlerësoj lart kontributin shumëvjeçar të znj. Avdyli, duke theksuar se puna, përkushtimi dhe profesionalizmi i saj do të mbeten një vlerë e çmuar dhe një kujtim i veçantë për të gjithë ata që patën rastin të bashkëpunojnë me të.
“Le të jetë pensionimi një periudhë e qetë, e begatë dhe e mbushur me gëzime, realizime personale dhe momente të paharrueshme me familjen dhe miqtë”, tha kryesuesi i Këshillit Arben Mehmeti.
Ndryshe, Sabile Avdyli u emërua anëtare e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës më 09 korrik 2009 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, detyrë të cilën e ushtroi deri më 09 korrik 2014. Pas përfundimit të mandatit si anëtare e Këshillit, ajo vazhdoi të kontribuojë në këtë institucion në pozitën e Zyrtares së Lartë për Inspektim Administrativ, duke shërbyer me përkushtim deri në pensionimin e saj.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i shpreh mirënjohjen më të thellë znj. Sabile Avdyli për kontributin e çmuar të dhënë ndër vite dhe i uron shëndet, lumturi dhe një pensionim të mbarë e të qetë.

