Leposaviq, 2026 – Përfaqësuesit e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), të udhëhequr nga anëtari i Këshilli, Eshref Shabani, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Leposaviqit, ku janë pritur nga përfaqësuesit e kësaj komune.
Gjatë takimit, palët diskutuan për funksionimin e shërbimit civil në nivel lokal, sfidat aktuale dhe rëndësinë e respektimit të legjislacionit në fuqi. Në fokus të veçantë ishte roli i KPMSHCK-së si institucion i pavarur në garantimin e zbatimit të drejtë dhe të paanshëm të rregullave që rregullojnë shërbimin civil në Republikën e Kosovës.
Ata gjithashtu nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional me komunat, me qëllim të forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë në trajtimin e nëpunësve civilë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komunës së Leposaviqit shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me KPMSHCK-në dhe për të respektuar në përpikëri kornizën ligjore që rregullon shërbimin civil.
Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të institucioneve lokale dhe rritjes së besimit në administratën publike, përmes zbatimit të drejtë dhe të barabartë të ligjit.
