Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka shqyrtuar Raportin vjetor të punës për vitin 2013 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Raportin e ka prezantuar Kryetari i Këshillit, Naim Abazi, i cili foli me shifra e fakte lidhur me punët e kryera në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit.
Përveç të arriturave, Kryetari e njoftoi Komisionin, edhe me vështirësitë me të cilat përballet Këshilli ku u theksua sidomos buxheti shumë i vogël dhe mungesa e hapësirave të punës.
Nga të gjithë anëtarët e Komisionit që diskutuan, u vlerësua shumë lartë puna e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke theksuar se në këtë mënyrë, ky Këshill me punën që po bën, duke shënuar progres të pandalshëm, po rrit peshën e vetë institucionit.
Kryetari i Komisionit Ramë Vata dhe anëtarët e Komisionit, shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e plotë për të ofruar mbështetje dhe përkrahje të vazhdueshme për punën e Këshillit, me theks të veçantë për përmbushjen e nevojave urgjente siç janë sigurimi i hapësirave të punës dhe sigurimi i buxhetit të mjaftueshëm në pajtim me kërkesat dhe nevojat e Këshillit.
Në fund, Raporti vjetor i Punës, u miratua në parim me votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit, dhe do të procedohet për miratim në seancë plenare.