Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil me datën 08.04.2014 raportoj në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Raportin vjetor të punës për vitin 2014.
Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, z. Lulzim Aliaj, prezantoi Raportin vjetor 2014, duke e njoftuar Komisionin për punën e Këshillit, respektivisht ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit. Ai theksoi se krahasuar me vitin 2013, Këshilli ka konstatuar se gjatë vitit 2014 është rritur shumë numri i ankesave të nëpunësve civil, po ashtu krahasuar me vitin 2013, Këshilli ka monitoruar me shumë institucione lidhur me procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të rregullave dhe parimeve në shërbimin civil si dhe ka vëzhguar më shumë procese të rekrutimit lidhur me përzgjedhjen në pozita të nivelit drejtues.
Kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media kanë shtruar pyetje, duke shprehur kështu interesimin e tyre për shumë çështje lidhur me fushë veprimtarinë e Këshillit dhe duke vlerësuar njëkohësisht punën e Këshillit në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Kryetari i Këshillit dhe anëtarët z. Hajzer Salihu dhe z. Shkëmb Manaj i janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve duke ofruar të gjitha informatat lidhur me interesimin e Komisionit.
Kryetari i Këshillit, po ashtu, ka ngritur vështirësitë më të cilat ballafaqohet Këshilli në përditshmëri sa i përket kushteve për punë si dhe sfidën që ka Këshilli për moszbatimin e vendimeve të këtij institucioni të pavarur nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale, duke kërkuar mbështetjen e Kuvendit dhe të Kryeministrit për krijimin e kushteve normale për punë për Këshillin si dhe për zbatimin e vendimeve nga personat përgjegjës në institucionet e administratës publike.
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës unanimisht miratoi Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.