Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me rastin e 23 Qershorit–Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, i uron të gjithë nëpunësit civil të Republikës së Kosovës
Në këtë ditë, Këshilli vlerëson se shërbimi civil i Republikës së Kosovës, si shërbim i një shteti të ri është duke kaluar nëpër procese të vështira të konsolidimit dhe reformimit, duke pasur si vizion krijimin e një shërbimi civil profesional, të paanshëm, gjithëpërfshirës, efektiv dhe efikas në kryerjen e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Këshilli, është duke dhënë kontributin e vet në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, si dhe mbështetë fuqishëm të gjitha veprimet e ndërmarra në procesin e reformimit të administratës publike, por thekson se institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, duhet të kenë parasysh domosdoshmërinë që këto reforma të jenë koherente, të qëndrueshme dhe të aplikueshme në kohën kur ndërmerren si të tilla.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, fton të gjithë nëpunësit civil dhe institucionet e administratës publike të nivelit qendror dhe lokal që kanë të punësuar nëpunës civil, që të kenë besim në vendimmarrjen dhe punën e gjithëmbarshme të Këshillit në kryerjen e funksioneve të veta kushtetuese dhe ligjore.
Ne ju garantojmë që jemi në zbatim të plotë të ligjit.