Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Deputetët e komuniteteve jo shumicë vlerësuan se neni 11, i Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, nuk është duke u zbatuar. Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Jasmina Zhivkoviç, është diskutuar lidhur me implementimin nenit 11, të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Lidhur me zbatimin e këtij neni, i cili parasheh që në institucionet e vendit, në ato qendrore dhe lokale, të përfshihen 10% e shërbyesve civil nga komuniteti jo shumicë, folën përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, përkatësisht anëtarët e Komisionit: Myfera Shinik, Grupi Parlamentar (GP) 6+, nga komuniteti turk, Danush Ademi, GP 6+, komuniteti ashkali, Qerim Bajrami GP 6+, komuniteti boshnjak, si dhe Veton Berisha GP LDK, komuniteti egjyptas, të cilët vlerësuan se ky nen nuk është duke u zbatuar sipas dispozitave të parapara të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Ata u angazhuan dhe kërkuan nga Qeveria, që të gjejë forma dhe të nisë së zbatuari ky nen, në mënyrë që përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë në institucionet e vendit të realizohet sipas kuotës së parashikuar. Duke raportuar për zbatimin e këtij neni (11) të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Shkëmb Manaj, ndërkaq, njoftoi se në nivelin qendror, neni në fjalë zbatohet në masën 6.24%. I njëjti nen, tha ai, në nivelin lokal realizohet në 16.83%.
Ai më tej sqaroi se bazuar në numrin e përgjithshëm të shërbyesve civil në nivel vendi (më se 17 mijë), mund të themi se ky nen arrin në masën e paraparë të dispozitës ligjore, por, megjithatë, nënvizoi Manaj, duhet përpjekur që shkalla e përfaqësimit të rritet në të dyja nivelet. Për të arritur zbatimin e plotë të Ligjit, përkatësisht zbatimin e nenit 11 të tij, ai kërkoi bashkëpunim edhe më të ngushtë me komisionin. Për zbatimin e këtij Ligji, bazuar edhe në debatin e sotëm, komisioni do të hartojë rekomandimet, të cilat do të shqyrtohen edhe në mbledhje plenare të Kuvendnit.