Historiku dhe mandati ligjor

Rregullorja e UNMIK-ut, Nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës, ishte akti i parë ligjor mbi bazën e të cilit, në kapitullin III, është themeluar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës si Njësi e pavarur brenda Ministrisë së Shërbimeve Publike, e me raportim të drejtpërdrejtë te Ministri i Shërbimeve Publike. Sipas kësaj Rregulloreje, anëtarët e Këshillit emëroheshin nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në konsultim me Kryeministrin e Kosovës.

Me Rregulloren e UNMIK-ut Nr.2008/12, për ndryshimin e Rregullores Nr.2001/36, Këshilli përcaktohej si Njësi e mëvetësishme që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë Kuvendit të Kosovës dhe anëtaret e tij emëroheshin nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe transparente.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, më datë 15 korrik 2010, e miratoi Ligjin Nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i shpallur në Gazetën Zyrtare me Nr. 77/2010 datë 16 gusht 2010, ku në nenin 3 KPMSHCK-ja përcaktohet si organ i pavarur që i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i cili i zgjidh ankesat e nëpunësve si dhe siguron respektimin e të gjitha rregullave dhe parimeve që e rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.

Me tej, me Ligjin e zbatueshëm Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Këshilli është institucion i pavarur që e siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës janë përcaktuar funksionet, kompetencat, organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Baza ligjore për funksionimin e Këshillit është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtar Publik, Ligji Nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve të Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, Ligji Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si dhe aktet nënligjore që i implementojnë këto ligje.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors