Funksionet e Këshillit

Këshilli është institucion i pavarur i themeluar me aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 101.2 të Kushtetutës, ku përcaktohet se: “Një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Misioni – të mbikëqyr respektimin e rregullave dhe parimeve që e rregullojnë shërbimin civil. 

Vizioni – të garantojë mbizotërimin e ligjit në administrimin e shërbimit civil përgjatë procedurës së pranimit, emërimit, lëvizjes brenda kategorisë dhe ngritjes në detyrë, transferimit, pezullimit, vlerësimit, procedurës disiplinore, zhvillimit profesional, të drejtat dhe detyrimet e nëpunësit civil, dhe përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil, në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë, me qëllim që ky proces të jetë i ndershëm, objektiv, i paanshëm dhe transparent për një administrate publike (shërbim civil) të qëndrueshme, profesionale, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.

Me qëllim të përmbushjes së misionit, synohet të realizohen këto objektiva:

  • Shqyrtimi i të gjitha ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbim civil;
  • Mbikëqyrja dhe vlerësimi i respektimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit  për shërbimin civil;
  • Funksionalizimi i strukturës organizative;
  • Përditësimi i akteve nënligjore të Këshillit;
  • Avancimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare;
  • Forcimi i kapaciteteve profesionale të Këshillit;
  • Ngritja e mëtejme e transparencës së Këshillit.

Këshilli ushtron funksionet dhe përgjegjësitë themelore në pajtim me:

  • Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
  • Ligjin Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe aktet nënligjore që burojnë nga ky ligj;
  • Ligji Nr.08/L-180 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil Të Kosovës;
  • Aktgjykimin në rastin KO171/18 të datës 20 maj 2019 të Gjykatës Kushtetuese.

Me Ligjin Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr.08/L-180, përcaktohen funksionet, kompetencat, organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit.

Për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil, Këshilli i ka këto funksione themelore:

  • Shqyrton dhe merr vendime për ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil si dhe,
  • Monitoron institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civilë, lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil.

Këshilli me qellim të ushtrimit të funksioneve, në mbështetje të dispozitave të nenit 7 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka të drejtë të: 

  • vizitojë çdo institucion që ka të punësuar nëpunës civilë;
  • ketë qasje dhe të kontrollojë dosjet dhe çdo dokument lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil;
  • intervistojë çdo nëpunës civil, i cili mund të ketë informata që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për ushtrimin e funksioneve të Këshillit;
  • kërkojë dhe marrë nga institucionet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tij;
  • organizojë seanca profesionale, dhe
  • nxjerrë vendime, udhëzime, qëndrime dhe rekomandime.

Këshilli në ushtrimin e funksioneve të përcaktuara ligjore ka të drejtë të:

  • Nxjerr vendime, udhëzime, qëndrime dhe rekomandime;
  • Organizojë seanca profesionale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors